Tërhiqen financat, dividendi i 2026 do paguajë tatim 8 për qind, norma e re nga 2027
Ministri Petrit Malaj sqaron se fitimet e vitit 2026 do të tatohen me 8%, ndërsa norma 15% zbatohet për fitimet e 2027-s.

Ministria e Financave ka ndryshuar qëndrimin fillestar lidhur me zbatimin e normës së re të tatimit mbi dividendin, e cila parashikohet të rritet nga 8% në 15% në kuadër të paketës fiskale për vitin 2027.
Ndryshe nga deklarimet e mëparshme, sipas të cilave çdo dividend i shpërndarë duke nisur nga janari 2027 do të tatohej me 15%, pavarësisht periudhës kur ishte gjeneruar fitimi, Ministri i Financave Petrit Malaj ka konfirmuar në Komisionin e Ekonomisë se fitimet e realizuara gjatë vitit 2026 do të vijojnë të tatohen me normën aktuale prej 8%, edhe nëse shpërndahen gjatë vitit 2027. Norma e re prej 15% do të fillojë të zbatohet për dividendët që rrjedhin nga fitimet e vitit 2027.
Debati në Komisionin e Ekonomisë për ndryshimin e tatimit mbi dividendin
Sqarimi i Ministrit të Financave erdhi pas insistimit të deputetit të Partisë Demokratike, Igli Cara, i cili ngriti shqetësimin për ndikimin që ndryshimi i normës së tatimit mund të ketë mbi planifikimet financiare të bizneseve. Ai theksoi se shumë kompani kanë planifikuar shpërndarjen e fitimeve duke marrë në konsideratë normën ekzistuese prej 8%, ndërsa disa prej tyre nuk kanë shpërndarë dividendë prej vitesh për shkak të investimeve.
“Kompanitë që ndajnë dividendin vitin e ardhshëm nga 8% që e kishin planifikuar, ju thoni që nga viti 2027, të gjithë fitimin që do e ndajnë do e paguajnë me 15%. Ka disa kompani që për arsye investimesh nuk kanë bërë ndarje dividendi prej vitesh. Të paktën për vitin e fundit ju duket normale që pa e planifikuar më parë, pa u lajmëruar subjektet në fund të vitit të lajmërohen që dividend nuk do ta kenë më 8%, por do ta kenë 15%, sepse ata mund të kenë bërë planifikime dhe kjo nuk është fare normale”, tha ai.
Malaj sqaron afatet, dividendi i vitit 2026 do të paguhet me normën 8%
Ministri Petrit Malaj shpjegoi kalendarin e shpërndarjes së dividendëve dhe mënyrën se si do të zbatohet ndryshimi ligjor. Sipas tij, pas mbylljes së pasqyrave financiare për vitin 2026, bizneset do të kenë kohë deri në korrik 2027 për të vendosur nëse fitimet do të mbahen në kompani për investime, për mbulimin e humbjeve të mundshme në vitet pasardhëse apo do të shpërndahen si dividendë.
“Për dividendin e vitit 2026, pasi të mbyllen pasqyrat financiare, deri në korrik të 2027-s bizneset do të përcaktojnë se çfarë do të bëjnë me fitimin e vitit 2026, do ta trashëgojnë për vitet pasardhëse për të kryer investime ose për të mbuluar humbjet e viteve të mëvonshme apo duan ta shpërndarje si dividend. Dhe në momentin që ata marrin vendimin në 31 korrik, që do ta shpërndajnë si dividend, dividendin duhet ta paguajnë brenda datës 20 gusht 2027. Kjo do të thotë që norma do të jetë me nivelin aktual prej 8%, se ky ligj hyn në fuqi nga 1 janari 2027. Dmth dividendin e fitimeve të 2027-s do ta paguajnë në gusht të vitit 2028”, tha Malaj.
“Dividendët që nuk janë shpërndarë akoma e kanë paguar tashmë pjesën e tatimit mbi dividendin”, sqaroi ai. Sipas këtij interpretimi, fitimet e realizuara gjatë vitit 2026 dhe të shpërndara në vitin 2027 do të vijojnë të tatohen me 8%, ndërsa norma e re prej 15% do të zbatohet për fitimet e realizuara gjatë vitit 2027, dividendët e të cilave do të paguhen në gusht 2028.
Pse Ministria e Financave propozon rritjen e tatimit nga 8% në 15%
Paketa e re fiskale për vitin 2027 parashikon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Në relacionin që shoqëron projektligjin, Ministria e Financave argumenton se ky ndryshim synon unifikimin e normës së tatimit mbi dividendin me tatimin mbi të ardhurat e tjera nga investimet, të cilat aktualisht tatohen me 15%.
Një tjetër objektiv i deklaruar i ndryshimit është nxitja e riinvestimit të fitimeve në kompani. Sipas Ministrisë së Financave, rritja e tatimit mbi dividendin synon të dekurajojë tërheqjen e fitimeve për konsum personal dhe të nxisë mbajtjen e tyre brenda bizneseve, për të financuar zgjerimin e aktivitetit, modernizimin teknologjik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Fitimet që mbeten në kompani nuk i nënshtrohen tatimit mbi dividendin për sa kohë nuk shpërndahen, ndërsa për fitimet që do të shpërndahen sipas rregullave të reja parashikohet zbatimi i normës prej 15%, nëse projektligji miratohet.
Ndryshime ligjore për të parandaluar shpërndarjen e tërthortë të fitimeve
Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, norma aktuale prej 8% për dividendët mund të krijojë mundësi për arbitrazh tatimor, përmes deklarimit të pagave më të ulëta nga ortakët apo drejtuesit e kompanive dhe tërheqjes së një pjese më të madhe të të ardhurave në formën e dividendëve. Për këtë arsye, paketa fiskale përfshin edhe ndryshime ligjore që synojnë të parandalojnë shpërndarjen e tërthortë të fitimeve pa paguar detyrimet përkatëse tatimore.
Legjislacioni aktual përfshin në përkufizimin e dividendit të ardhurat nga aksionet dhe kuotat, shpërndarjen e fitimeve, si dhe rastet kur fitimet e pashpërndara, pasi janë kapitalizuar, u kalohen ortakëve përmes zvogëlimit të kapitalit. Me ndryshimet e propozuara, këtij përkufizimi do t'i shtohen shprehimisht edhe shumat që kompanitë u japin ortakëve apo aksionarëve në formën e huave, paradhënieve ose financimeve të tjera, në rastet kur këto veprime nuk përfaqësojnë transaksione financiare reale, por në thelb përbëjnë shpërndarje të tërthorta të fitimit. Këto masa synojnë të kufizojnë shmangien e tatimit mbi dividendin përmes përdorimit të formave alternative të transferimit të fitimeve nga kompanitë te ortakët ose aksionarët.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)